Aplikimet e lejeve të ndërtimit pas 20 prillit në Sistemin Elektronik Aplikimet e lejeve të ndërtimit pas 20 prillit në Sistemin Elektronik
Prej datës 20 Prill, të gjithë qytetarët dhe profesionistët e licensuar mund të aplikojnë  online në portalin e-Albania për t’u pajisur me leje ndërtimi.... Aplikimet e lejeve të ndërtimit pas 20 prillit në Sistemin Elektronik

Prej datës 20 Prill, të gjithë qytetarët dhe profesionistët e licensuar mund të aplikojnë  online në portalin e-Albania për t’u pajisur me leje ndërtimi.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit projektvendimin e hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 408, datë 13.5.2015, të këshillit të ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar”.

Qëllimi i këtij projektvendimi është miratimi i ndryshimeve të nevojshme me qëllim krijimin, vënien në funksionim dhe përdorimin e Sistemit Elektronik të Lejeve,  përmes të cilit do të realizohen elektronikisht procedurat e aplikimit për leje, si dhe procedurat e shqyrtimit  dhe miratimit të këtyre kërkesave.

Sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është në fazën finale të testimit dhe do të jetë gati online duke filluar nga data 20 prill.

Nga data 20 prill deri më datë 31 gusht 2016, qytetarët mund të vijojnë të aplikojnë në të dy mënyrat: në rrugë elektronike dhe në formë shkresore. Ndërsa, duke filluar nga data 1 shtator 2016, aplikimi, shqyrtimi dhe miratimi i lejeve do te kryhet ekskluzivisht përmes sistemit elektronik.

Sistemi elektronik i lejeve do të bëjë të mundur realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop): aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe bashkia do të kryeje vete – përmes sistemit – të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike, me afate të qarta dhe pa vonesa (nëse institucionet nuk përgjigjen brenda 10 ditësh, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje).

Konkretisht, VKM parashikon:

  • Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen duhet te përgjigjen brenda 10 ditëve pune.
  • Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë  më tej me shqyrtimin e aplikimit.

 

  • Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesi, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje.
  • Bashkërendimi me të gjitha institucionet që duhet të japin mendimin e tyre mbi lejen e ndërtimit (p.sh. IMK, ZRPP, Shërbimi Arkeologjik, etj.) do të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve nga bashkia përgjegjëse. Mbledhja e tarifave të shërbimit për të gjitha institucionet do te kryhet nga bashkia, si zyrë e shërbimit me një ndalesë, përmes sistemit
  • Përmes sistemit, do të sigurohet njoftimi i vazhdueshëm i aplikuesve lidhur me statusin e kërkesës së tyre
  • Me ngritjen e sistemit, sigurohet unifikimi i procedurave dhe standardizimi  i formateve për të gjitha bashkitë në sistem.
  • Sistemi do të kryejë përllogaritjen automatike të afateve të shqyrtimit të kërkesës dhe do të evidentojë dhe informojë nëpunësit për vonesat e mundshme
  • Pjesë e sistemit do të jetë edhe IKMT vendore dhe qendrore, që do të mund të monitorojnë shkeljen e afateve dhe vendosjen e sanksioneve
  • Në VKM bëhet gjithashtu ndarja mes lejeve të ndërtimit për sipërfaqe deri më 250 m2 dhe ndërtimeve me sipërfaqe më të madhe se 250m2. Për kategorinë e parë (leje ndërtimi për sipërfaqe deri në 250 m2) janë hequr disa kërkesa të projektit (projekti i instalimeve) si dhe nevoja e mbikëqyrjes së punimeve, me kusht që, firma zbatuese të nënshkruajë një deklaratë noteriale për kryerjen e punimeve në përputhje me lejene ndërtimit.

Për të kryer aplikimin, qytetarët do të regjistrohen në portalin e-Albania duke mundësuar përdorimin e shërbimit të aplikimit online të e-lejeve. Gjatë aplikimit do të realizohet ndërlidhja me institucionet e tjera publike nëpërmjet data bazës së ZRPP, QKR, DPGJC në formë automatike për të marrë dhe validuar të dhënat e aplikuesit.

Gjatë fazës së shqyrtimit sistemi do të informojë vazhdimisht aplikuesin lidhur me statusin e aplikimit të tij.

  • Sistemi do të rrisë përgjegjshmërinë e autoriteteve publike: do të llogarisë afatet e përgjigjes për secilën prej tyre dhe shkelja e afateve do të monitorohet dhe sanksionohet nga inspektorët e IKMT, që do të jenë pjesë e sistemit. Gjithashtu, nëse Bashkia nuk përgjigjet brenda 60 ditëve nga dërgimi i kërkesës, sistemi do të gjenerojë dokumentin përkatës që do të lejojë fillimin e punimeve.

 

  • Sistemi do të shkurtojë sorollatjen e qytetarëve në zyra publike: të dhënat dhe dokumentet që duhen marrë nga institucionet e administratës publike, do të merren nga vetë bashkia përmes sistemit.

 

  • Sistemi do të rrisë gjithashtu transparencën ndaj qytetarëve, duke i informuar ata vazhdimisht për çdo ndryshim të statusit të aplikimit (p.sh. kur protokollohet, kur I dërgohet një institucioni për përgjigje, etj.) si dhe për çdo vendim / përgjigje që lëshohet gjatë shqyrtimit të aplikimit të tij.

 

Ngritja e sistemit elektronik të lejeve është kryer në bashkëpunim mes Ministrisë së Zhvillimit Urban, Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit  me financim të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. AKSHI do të mundësojë lëshimin e firmave elektronike për përdorimin e sistemit nga të gjithë projektuesit në fushën e ndërtimit.

Aktualisht, MZHU dhe AKSHI  po kryejnë trajnimin e stafeve të 61 bashkive për përdorimin e sistemit elektronik të lejeve që të mundësohet fillimi i funksionimit të sistemit. Nga ana tjetër, sportelet e shërbimit me një ndalesë në bashki do të ndihmojnë  qytetarët për informacion lidhur me aplikimin nëpërmjet sistemit.

Marrw nga Ministria e Zhvillimit Urban

No comments so far.

Be first to leave comment below.

Your email address will not be published. Required fields are marked *