Hekurudha Elbasan – Prrenjas Hekurudha Elbasan – Prrenjas
Ky artikull është marrë nga “Ndërtuesit e Hekurudhave” botuar në vitin 2014. Të njihemi me hekurudhën Elbasan-Prrenjas. Kryetar i Grupit të Projektimit Ing. Mithat... Hekurudha Elbasan – Prrenjas

Ky artikull është marrë nga “Ndërtuesit e Hekurudhave” botuar në vitin 2014.

Të njihemi me hekurudhën Elbasan-Prrenjas.

Kryetar i Grupit të Projektimit Ing. Mithat Demiri

Kryeinxhinienieri i projektit Ing. Shaban Torozi

Projektimi i një hekurudhe në përgjithësi dhe konkretisht Hekurudha Elbasan -Prrenjas për vetë kushtet malore të terrenit, paraqet probleme shumë të ndërlikuara teknike, zgjidhja e të cilave duhet të harmonizojë si këto ashtu dhe anën ekonomike të veprës.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet nga kushdo, që ka pasur rastin të udhëtojë prej Elbasanit për në Pogradec apo Korçë, se sa i vështirë ka qenë kalimi i rrugës automobilistike, duke pasur parasysh këtu që parametrat teknike në rrugë lejojnë një përshtatshmëri më të madhe me natyrën e terrenit. Pra edhe nga ky krahasim mund të nxjerrim në dukje vështirësitë për projektimin e kësaj hekurudhe në një terren malor, siç është gryka e lumit Shkumbin.

Nga do të kalojë kjo hekurudhë?

Kjo është vazhdim i rrjetit tonë hekurudhor të deritanishëm. Pra fillon nga Krasta e Elbasanit ku sot ndodhen Bunkerët e mineralit të hekur-nikelit, vazhdon duke kaluar nëpër Labinot-Fushë Xibrakë dhe ndeshet me shkëmbinj gëlqerorë në Mirakë, të cilët kalohen me dy tunele. Mbas tyre bëhet kalimi i dytë me tunele në Murrash dhe së fundi mbërrin në Librazhd. Po të udhëtonim me tren do të shihnim pothuajse gjithnjë lumin e Shkumbinit nga e djathta. Në këtë zonë ajo e ndërpret këtë lumë me dy ura të mëdha pranë urës ekzistuese të Murrashit me pamje të bukur urë-tunel-urë-tunel. Kjo vepër arti, komplekse dhe e bukur shtrihet në vijë të drejtë me një gjatësi 1700 ml.

Nga stacioni i Librazhdit që do të vendoset në një fushë të vogël pranë rrugës së Klenjës, ajo vazhdon duke ndjekur pak a shumë gjarpërimet e lumit Shkumbin, gjithnjë duke u ngjitur deri sa arrin në qendrën e vogël të Hotolishtit. Prej këtej vazhdon me një ngjitje akoma më të madhe, nëpër një grykë akoma më të ngushtuar, me një seri tunelesh, muresh mbajtës, urash të larta etj. gjithnjë nëpër bregun e djathtë të lumit Shkumbin deri në Qukës. Mbas kësaj, e lë këtë grykë për t’ju ngjitur një tjetre asaj të përroit të Lingajcës deri sa arrin në rrafshnaltën e rrethuar me male Dosmodovë, pra në qytetin e Përrenjasit.

3806800187_0f00fa9b6b

Disa nga vështirësitë e projektimit.

Lidhja e Përrenjasit me hekurudhë natyrisht është qëllimi kryesor, por ky nuk është qëllimi në vetvete. Vështirësitë qëndrojnë në vetë natyrën e kësaj lidhjeje, dhe pikërisht në zgjidhjen e problemeve në mënyrë të tillë që të kënaqen si kërkesat teknike ashtu edhe ana ekonomike për sa i përket kostos së veprës. Të përmendim disa nga vështirësitë më kryesore:

-Pjerrësia gjatësore udhëheqëse si element teknik dhe ekonomik është parametri kryesor, përcaktimi ose zgjidhja e të cilit ka të bëjë si me shpenzimet e ndërtimit ashtu edhe me ato të shfrytëzimit. Kjo ka lidhje edhe me rrjetin hekurudhor ekzistues. Pasi u krye me kujdes jo vetëm studimi i terrenit pëllëmbë për pëllëmbë me kuota, volumet e punimeve të dherave kushtet e shfrytëzimit të kësaj hekurudhe, u përcaktua që pjerrësia gjatësore e leverdishme të jetë 9 dhe 18 për mijë. Në këtë mënyrë deri në Librazhd arrijmë me pjerrësi 9 për mijë e njëllojtë me atë të rrjetit hekurudhor ekzistues, dhe pastaj deri në Përrenjas kalohet me pjerrësi 18 për mijë d.m.th. me dyfishin e së parës;

Planimetria është një tjetër pengesë serioze, sepse linja hekurudhore kërkon që të jetë sa më shumë e shtrirë në vijë të drejtë, pavarësisht, nga gjarpërimet e vetë terrenit. Duke pasur parasysh terrenin shumë të aksidentuar, duhet që t’i përshtatemi sa më shumë këtij për t’ju shmangur punimeve shumë të mëdha. Nga ana tjetër kjo përshtatje është bërë në përputhje të plotë me normat teknike. Në këtë mënyrë, rrezja minimale është pranuar 300 m. Përfundimisht, nga 47.5 km gjatësi hekurudhore prej Krastës së Elbasanit deri në Përrenjas, 20 km janë në kthesë dhe 27.5 km në vijë të drejtë. Pavarësisht nga përcaktimi i rrezes minimale, përdorimi i saj është bërë vetëm në vende të veçanta, duke studiuar për çdo rast volumet dhe duke bërë krahasimet tekniko-ekonomike. Zgjidhja e pjerrësisë udhëheqëse dhe e rrezes minimale në planimetri është bërë duke marrë parasysh në tërësi të gjithë relievin e zonës, duke pranuar se:

– Në kalimin e kësaj zone tepër malore duhet të ndërtohen 15 copë tunele me gjatësi të përgjithshme rreth 4500 m. Tuneli më i gjatë është ai i Murrashit me gjatësi 1000 m.

– Gjarpërimet e terrenit, lumenjtë, përrenjtë dhe rrjedhjet e shumta kërkojnë ndërtimin e rreth 180 copë urave të vogla, të mesme e të mëdha. Si ura të mëdha janë dy mbi lumin Shkumbin, një në përroin e Rrapunit, një në Bushtricë, dhe tjetra mbi përroin e Pishkashit. Ura mbi Bushtricë, më e madhja, ka një gjatësi 280 m dhe lartësi 50 m, ose e barabartë me lartësinë e një ndërtese banimi 15-16 kate. Me gjithë terrenin e vështirë, në ndërtimin e këtyre veprave do të përdoren në masë konstruksionet beton arme të parapërgatitura.

– Terreni mjaft i thepisur kërkon ndërtimin e rreth 160.000 m3 mure mbajtës, të cilët do të krijojnë edhe mbajnë gjerësinë e gjurmës së hekurudhore.

– Ndërtimi i linjës hekurudhore kërkon rreth 3.8 milion m3 lëvizje dherash, nga të cilat rreth 2 milion m3 në shkëmb.

– Kalimi paralel me rrugën automobilistike, e cila ka mjaft gjarpërime, sjell postimin e rreth 4-5 km që në fakt do të përmirësojnë rrugën automobilistike.

– Vendosja e stacioneve për kryqëzimin e trenave në përshtatje me normat teknike si distancë, pikë qëndrimet për udhëtarët, në përshtatje këto edhe me zonat e banuara, zhvillimi i tyre me të gjitha ndërtimet e nevojshme, duke pasur parasysh terrenin tepër të thepisur, ka qenë një problem mjaft i vështirë për tu përcaktuar. Stacionet më kryesore janë ai i Përrenjasit  dhe i Librazhdit mbas tyre vijnë Xhyra dhe Xibraka. Në to do të ketë ndërtesë për udhëtarët, magazina për plehrat azotikë, fosfatikë e mallra të ndryshme, sheshe për materiale, bunkerë të hekur-nikelit etj.

-Përcaktimi i mësipërm është bërë duke studiuar e zgjedhur vendin sa më të përshtatshëm nga ana gjeologjike, studime këto tepër të rëndësishme për të përcaktuar të gjithë këtë kompleks ndërtimesh.

-Marrja parasysh e nivelit të ujërave me sigurinë 1% si dhe mbrojtja nga lumi Shkumbin e përrenjtë me prurje të ngurta, gjithashtu janë probleme që kanë kërkuar marrje masash hidraulike për ta mbrojtur hekurudhën me veprat e nevojshme.

Të gjitha këto përbëjnë vështirësitë kryesore, zgjidhja e të cilave në fazën e projekt-idesë përcaktoi variantin më të leverdishëm. Këto studime kanë kërkuar një punë të madhe sidomos në terren, dhe jo me një variante por me disa, duke bërë edhe krahasimet ndërmjet tyre. Këto kanë kërkuar një punë këmbëngulëse për kapjen, kuptimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve, sidomos për rastin tonë që për herë të parë u ndeshëm në jetën praktike me vështirësi të tilla teknike.

Problemet teknike që dalin në projektimin e një hekurudhe, janë të tilla që kërkohet pjesëmarrja e disa specialiteteve të inxhinierisë së ndërtimit. Kapërcimi me sukses i këtyre pengesave nuk do të qe e mundur pa një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm midis të gjithë sektorëve të Institutit tonë të Projektimit.

Tani gjatë hartimit të projekt-zbatimit, janë disa dhjetëra specialistë që bashkëpunojnë dhe hartojnë pjesë projekti të veçantë sipas specialiteteve përkatëse.

Nga ana tjetër , pa një guxim dhe besim në vetvete as që mund të mendohet kapërcimi me sukses i këtyre vështirësive.

Kjo është hekurudha e dytë që ne projektojmë krejtësisht me forcat tona, por nga vështirësitë teknike është e para e këtij lloji.

Punonjësit e projektimit, tani i janë futur me forca të shumëfishuara dhe besim të plotë projektimit të kësaj vepre me rëndësi të madhe politike dhe ekonomike.

 

No comments so far.

Be first to leave comment below.

Your email address will not be published. Required fields are marked *