Hekurudha Rrogozhinë – Fier Hekurudha Rrogozhinë – Fier
Ish Kryetar i Degës Planit. Ing. Mark Jakova Ing Çesk Radovani Për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në fund të vitit 1966, u krijua një... Hekurudha Rrogozhinë – Fier

Ish Kryetar i Degës Planit.

Ing. Mark Jakova

Ing Çesk Radovani

Për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në fund të vitit 1966, u krijua një ndërmarrje e re e emërtuar “Ndërmarrja e Ndërtimit të Hekurudhave” me qendër në qytetin e Lushnjës.

Qëllimi në vetvete i kësaj nisme, përveç ndërtimit të veprës, ishte edhe për angazhimin e rinisë që të merrej me punë vullnetare dhe njëkohësisht të ndihmonte në emancipimin e kësaj pjese që i përkiste zonave të thella rurale. Inaugurimi i fillimit të punimeve të hekurudhës u organizua më datën 03.02.1967 në qytetin e Lushnjës. Fillimisht punimet nisën në sektorin e Lushnjës, Gradishtës dhe të Rrogozhinës. Në muajin Prill 1967 u hapën edhe dy sektorë të tjerë ai i Zhamës dhe i Dushkut. Ndërsa në Qershor dhe Gusht të vitit 1967 filluan punimet në sektorin e Mbrostarit dhe Libofshës. Në shkurt të vitit 1968 me nisjen e punimeve në sektorin e Fierit, hekurudha ishte atakuar në të gjithë gjatësinë e saj.

Sipas projektit të hartuar nga Instituti i Projektimeve Rrugore, hekurudha do të lidhej me stacionin hekurudhor të Rrogozhinës, do të kalonte brenda qytetit të Lushnjës dhe do të përfundonte në qytetin e Fierit. Linja kryesore e kësaj rruge do të ishte 54 km, ndërsa si linjë dytësore në stacione do të ishte 7.8 km.

Hekurudha do të kalonte kryesisht në një zonë gjysmë kodrinore me origjinë argjilore deri në qytetin e Lushnjës, më tej në zonën kënetore të Gradishtës për të vazhduar përsëri në zona kodrinore deri në afërsi të qytetit të Fierit.

kontrolli-ne-prag-te-inaugurimit-rrogozhine-fier

Kontrolli ne prag te inaugurimit Rrogozhine Fier

Trasimi i hekurudhës në këtë aks, krijoi vështirësi të mëdha gjatë zbatimit të punimeve , kërkonte hapjen e useqeve të gjata dhe të thella, si te qafa e Sokolit në Rrogozhinë, por në veçanti te tre useqet në sektorin e Libofshës. Atakimi i kodrave argjilore krijoi rrëshqitje të tokave në sektorin e Dushkut dhe të Gradishtës dhe për mbrojtjen e tyre doli e nevojshme që të ndërtohen mure dhe prita të shumta prej betoni. Kalimi i trasesë në zonën kënetore në Saver të Gradishtës bëri që me gjithë punën e vazhdueshme me mbushje të herë pas hershme me gurë dhe zhavorr në sasi të mëdha, gjendja përsëri të mos stabilizohej për një kohë të gjatë.

Përveç intersektimit me kanale të shumta bonifikuese por dhe terreni ku kalonte traseja e hekurudhës kërkonte ndërtimin e një numri të konsiderueshëm të veprave të artit. Këtu spikat ura e Rrogozhinës mbi lumin Shkumbin me gjatësi 265 m, që u ndërtua në një zonë të vështirë dhe pa pasur mjete dhe organizma të përshtatshme. Mbetjet e shumta në shtratin e lumit që nga koha e luftës kur u shkatërrua ura e vjetër, pengonin vazhdimin normal të punës. Pusi i themelit të pilës në mes të urës vetë fundosej dhe për pasojë avanconte me vështirësi dhe inklinime si pasojë e kësaj gjendjeje. Me gjithë këtë situatë, në shumë drejtime punohej pa ndërprerje dhe për një kohë të shkurtër u bë e mundur që më 19.04.1967 të përfundonte betonimi masiv në shpatullën e parë të urës. Mbas 6 muajsh punime u arrit që të betonohej trau gjatësor i saj. Punimet u konsideruan të përfunduara në këtë objekt më datën 04.09.1968 kur mbi urë kaloi treni i provës me ngarkesë. Përveç urës së Rrogozhinës, të rëndësishme janë edhe urat e tjera si ajo mbi lumin Seman me gjatësi 179 m, ura e Gogolës me gjatësi 95 m, Ura e Gjanicës 77 m etj. Por nuk duhet harruar edhe 170 vepra të tjera arti hekurudhore dhe automobilistike të ndërtuara si shumë ura dhe gjatësi deri 50 m, tombino me diametër 1-2 m, prita, kanale etj. për ndërtimin e të cilave u përgatitën dhe u hodhën me krahë rreth 34.000 m3 betone të markave të ndryshme.

mberritja-e-lokomotives-se-pare-te-zhavorrit-ne-gradishte

Mberritja e Lokomotivës së parë të zhavorrit në Gradishtë

Trupi i trasesë prej 61.6 km gjatësi u ndërtua komplet prej dheu e pjesërisht zhavorri duke gërmuar dhe mbushur një volum prej 1.505.000 m3. Të gjithë gërmimet dhe hedhjet e dherave kryheshin me krahë me kazma dhe lopata, transport ii dherave deri në trase bëhesh me karroca dore ndërsa ngjeshja e dheut realizohej me dorë me anën e tokmakëve prej druri. Për rastet e transporti të dherave në kohë shiu ose tokave me lagështi, lëvizja e karrocave mbi trase bëhej mbi dërrasa të shtruara në formë rrugësh.

Pjesa e trasesë nga stacioni i trenit në Rrogozhinë deri te ura mbi lumin Shkumbin ishte në mbushje, por edhe me një lartësi të konsiderueshme. Për të lehtësuar punimet dhe për të krijuar një panoramë të mirë u dha mendimi që kjo pjesë e trasesë të ndërtohej në formë viadukti (kolona+trarë), por me qenë se kjo kërkonte shpenzime të tepërta nuk gjeti përkrahje. Në këto kushte, marrja e dheut për mbushje nga dy anët e trasesë do të prishte shumë tokë buke prandaj u vendos që traseja në këtë zonë të mbushej me zhavorr nga lumi. Për realizimin e kësaj detyre u angazhuan rreth 100 mjete transporti, natyrisht të tonazhit të vogël që kishte në atë kohë, që punuan për shumë muaj për të transportuar rreth 500.000 m3 zhavorr që kërkonte traseja në një distancë 10 km, që nga pika e ngarkimit në Karinë deri në objekt. Si përfundim i kësaj pune, përveç anomalive të vazhdueshme, rezultoi që u krijua një digë në mes të qytetit të Rrogozhinës.

Krahas punës për ndërtimin e trasesë hekurudhore, punohej edhe për ndërtimin e ngrehinave të 5 stacioneve të udhëtarëve, të magazinave të mallrave dhe të shesheve përkatëse. Stacionet në Dushk, Gradishtë dhe në Libofshë ishin më të vegjël dhe të destinuar vetëm për transport udhëtarësh. Në Lushnjë dhe në Fier u ndërtuan stacione më të mëdhenj për udhëtarët dhe njëkohësisht edhe magazinat e mallrave së bashku me linjat përkatëse. Të gjithë stacionet u ndërtuan në kushte bashkëkohore, moderne dhe së bashku përfshijnë një sipërfaqe ndërtimi prej 6.100 m2.

Puna më e kualifikuar i përkiste ndërtimit dhe montimit të linjave hekurudhore me traversat, shinat dhe balastin. Me përfundimin e trasesë sipas kuotave të projektit krijohej mundësia për montimin e linjave. Në mënyrë simbolike kjo u arrit në sektorin e Gradishtës në një trase relativisht të ulët dhe në një distancë prej 500 m, ku specialistët dhe vullnetarët më datën 13.06.1967 montuan shinat e para të hekurudhës së re. Me kalimin e kohës dhe me përfundimin e traseve ndërmjet stacioneve filloi dhe shtrimi masiv i traversave dhe montimi i shinave hekurudhore. Krahas kësaj pune nisi dhe hedhja e balastit dhe nivelimi i linjave. Me anë të trenave të vegjël të punës që niseshin nga stacionet ku ishin depozituar materialet, bëhej shpërndarja e balastit mbi shinat e montuara, dhe më vonë profilimi, nivelimi dhe drejtimi i linjave. Në këtë mënyrë gjatë gjithë trasesë janë vendosur 98.000 copë traversa druri të imprenjuara janë montuar 8500 ton shina dhe aksesorë, 64 copë ndërruese nëpër stacione. Mbi linjat e montuara janë hedhur edhe profiluar 124 000 m3 balast.

 

mjeshtri-baba-musta-i-shtrimit-te-shinave

Mjeshtri Baba Musta i Shtrimit te Shinave

Rëndësi e veçantë fillimisht i është dhënë kushtuar ndërtimit të qytezave ku do të strehoheshin të rinjtë vullnetarë dhe punonjësit e ndërmarrjes. Një projekt i veçantë ishte hartuar për këtë qëllim duke u bazuar në numrin e vullnetarëve dhe punonjësve për çdo sektor. Në planet e caktuara përfshiheshin kapanonet e fjetjes, mensat e gatimit dhe ngrënies, qendrat kulturore dhe të angazhimit, qendrat mjekësore, banjat dhe lavanteritë klubet dyqanet etj. Të veçanta parashikoheshin edhe ndërtimet për personelin inxhiniero-teknik dhe specialistët e ndërtimit me zyrat përkatëse. Të gjithë objektet e qytezave ndërtoheshin me skelete prej druri të veshura me pllaka prej pupuriti ose fibre ndërsa mbulimi i çative bëhej me pllaka eterniti ose me letër katramat. Përgjatë trasesë së hekurudhës u ndërtuan 8 qyteza për vullnetarët dhe punonjësit e ndërmarrjes disa prej të cilave me kapacitet deri 2500 vetë. Duhet theksuar se të gjitha këto ngrehina përbëjnë 55.000 m2 sipërfaqe të ndërtuar. Për sukseset e arritura gjatë punimeve për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë -Fier, ndikim pati dhe puna e madhe dhe mobilizimi i gjithanshëm i punonjësve të Ndërmarrjes të Ndërtimit të Hekurudhave duke filluar që nga drejtuesit kryesorë, personeli inxhiniero-Teknik dhe specialistët. Me gjithë që e krijuar rishtas, kjo ndërmarrje me inxhinier dhe teknikë të mbledhur nga disa ndërmarrje ndërtimi të vendit tonë, pa përvojën e duhur në fushën e ndërtimit të hekurudhave dhe e pakët në numër, për një kohë të shkurtër arriti që të organizohet dhe të drejtojë më së miri punën për ndërtimin e kësaj vepre. Duhet mbajtur parasysh edhe që puna ishte e veçantë në këtë ndërmarrje, punohej me të rinj vullnetarë të cilët çdo dy muaj ndroheshin. Kjo bënte që këta të rinj sa merrnin njohuritë e para të punës i vinte koha për tu larguar dhe mbi të gjitha nga 64 500 vetë që punuan për ndërtimin e hekurudhës mbi gjysma e tyre ishin vajza. Administrata e ndërmarrjes ishte e kufizuar me rreth 200 vetë ku pjesa më e madhe e punonjësve ishin administrativë. Po kështu edhe veprat e artit ishin të shumta dhe të vështira, kërkonin vëmendje dhe drejtim të kualifikuar për 1000 specialistët që punonin në këto objekte.

shina-e-fundit-shtator-1968

Shina e Fundit ( Shtator 1968)

Si përfundim, punimet në këtë vepër u kryen me sukses të plotë, sipas projektit, me cilësi të lartë, me një shkallë mekanizimi të papërfillshme dhe një periudhë të shkurtër kohore prej 20 muajsh. Më datën 12.10.1968 treni i parë me udhëtarë i nisur nga stacioni i Rrogozhinës arriti në qytetin e Fierit.

 

.

 

Disa volume kryesore të punës të realizuara në hekurudhën Rrogozhinë -Fier.

 

Ngritja e kantierit për sektorët                                    55.000             m2

Gërmim dhe mbushje traseje                                       1.505.000        m3

Mbushje me zhavorr në Rrogozhinë                           500.000           m3

Ndërtim kombino 1-2 m                                             103                  copë

Ura të vogla e të mesme                                              44                    copë

Ura të mëdha                                                              9                      copë

Ura e Rrogozhinë Hek. dhe automobilistike 265 m    1                      copë

Linja hekurudhore dhe linja të dyta                            61.8.                km

Balast zhavorri                                                            124.000           m3

Shina dhe aksesor                                                       8.500               ton

Traversa druri                                                              900.000           copë

Ndërruese në stacione                                                 64                    copë

Godinat në stacione dhe magazina                             25.000             m2

 

No comments so far.

Be first to leave comment below.

Your email address will not be published. Required fields are marked *