Miratohet Plani i ri Urbanistik i Tiranës TR30 Miratohet Plani i ri Urbanistik i Tiranës TR30
Sipas njoftimit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor “TR030” dhe Buxhetin e vitit 2017, i cili do të jetë më... Miratohet Plani i ri Urbanistik i Tiranës TR30

Sipas njoftimit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor “TR030” dhe Buxhetin e vitit 2017, i cili do të jetë më i madhi i këtyre viteve. Të dy këto dokumente kanë marrë votat e shumicës në Këshillin Bashkiak. Në prezantimin e Planit të Përgjithshëm Vendor para Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky dokument projekton Tiranën e së ardhmes si një hapësirë europiane.

“Deri më sot Planet Urbanistike janë parë, me të drejtë, si plane zhvillimi, që përcaktojnë njolla e intensitete ndërtimi. Por kjo nuk ka lidhje me dokumentin që kemi sjellë sot përpara Këshillit. Sigurisht, që edhe ky Plan adreson çështjen e ndërtimit, por kjo është veç njëra nga tematikat e trajtuara aty dhe jo më e rëndësishmja. Sepse mbi të gjitha, ky dokument është një inventar i të gjithë problemeve, potencialeve, aseteve të Tiranës dhe i rrugëve sesi këto mund të adresohen apo të shfrytëzohen në të mirë të qytetit”, tha ai. Kryebashkiaku deklaroi se procesi i hartimit të këtij plani ka vendosur një standard të ri transparence dhe përfshirje të komunitetit.

“Plani synon t’i japë Tiranës një identitet të ri urbanistik. Nuk është një plan i ngrirë, mekanik, i bukur në letër dhe i pazbatueshëm në praktikë, por një dokument që e trajton hapësirën e Tiranës së madhe si një organizëm fleksibël dhe pragmatik sepse fokusohet tek zgjidhjet praktike në të mirë të qytetarëve dhe jo tek vizatimet e bukura në hartë”, shtoi Veliaj. Ai evidentoi se plani i ri ka 5 shtylla kryesore: Së pari, plani e trajton densitetin e qytetit në funksion të rritjes së efikasitetit të infrastrukturës, diversitetit të shërbimeve dhe ndryshimit të qasjes ndaj lëvizshmërisë; Së dyti, ndryshimi i qasjes ndaj mobilitetit dhe lëvizshmërisë së njerëzve dhe mallrave në qytet; Së treti, rizhvillimi dhe rigjenerimi i qytetit; Së katërti, ruajtja e territorit bujqësor dhe natyror dhe Pylli Orbital si një kufi i ndërtimit pa kriter dhe së pesti, zhvillimi ekonomik, turistik dhe bujqësor i periferisë.

Veliaj u shpreh se sipas këtij plani parashikohet një Tiranë policentrike e cila synon të zgjidhë pikërisht problematikat e hasura në gjithë këto vite. “Duke investuar në ndërtimin e poleve të tjera urbane, qyteteve brenda qytetit, jo vetëm që stimulohet një zhvillim më i njëtrajtshëm ekonomik e social i të gjithë hapësirës urbane të Tiranës, por përfiton edhe vetë qendra ekzistuese e qytetit për të cilën këto pole alternative do të shërbejnë si valvula përmes të cilave mund të shkarkohet presioni tanimë i papërballueshëm që ushtrohet në situatën aktuale”, u shpreh ai. Kreu i Bashkisë tha se përveç qendrës ekzistuese, strategjia dhe vizioni për Tiranën e vitit 2030 parashikon edhe 6 qendra të tjera urbane të cilat do të funksionojnë si pole alternative e autonome shërbimesh e ekonomike.

“Plani parashikon ndërtimin e 17 shkollave të reja publike në Tiranë të cilat do të kenë një shpërndarje proporcionale në qytet mes qendrës dhe periferisë, por që në shumicën e rasteve do t’u mbivendosen poliqendrave të Tiranës. Këto shkolla do të jenë modele në aspektin arkitekturor, por do të kenë një funksion të dyfishtë pasi do të jenë edhe në shërbim të komunitetit apo edhe të Bashkisë, pasi këto mund të jenë shumë mirë vendet ku zhvillohen për shembull mbledhjet e administratorëve me komunitetin e kështu me radhë”, tha Veliaj.  Kreu i Bashkisë garantoi se Plani i Përgjithshëm bazohet në idenë e ruajtjes së godinave historike, pasi kjo është e domosdoshme për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe Tiranës.

Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon në total 13 Projekte strategjike që përbëjnë dhe komponentin strukturor të Planit. Më konkretisht parashikohet: Projekti i Pyllit Orbital; Projekti i Oazëve natyrorë; Unaza e 2 dhe e 4; Projekti i Parkut Botëror; Unazat e gjelbra dhe blu; Epiqendrat e Tiranës policentrike; Shkollat e hapura; Ruajtja e pasurise arkitektonike të shekullit XX.; Sistem i ri bujqësor dhe rrjet i ri i tregjeve për fermerët; Transporti me cilësi të lartë; Rrjeti i korsive dhe mobiliteti; Tirana për të gjithë, qytet i aksesueshëm dhe Plani parashikon edhe një investim në energjinë e rinovueshme në të ardhmen.

Më poshtë gjeni një video ku përshkruhet Plani TR30

No comments so far.

Be first to leave comment below.

Your email address will not be published. Required fields are marked *