Ndërtimi i hekurudhës Rrogozhinë Fier dhe Elbasan Përrenjas. Ndërtimi i hekurudhës Rrogozhinë Fier dhe Elbasan Përrenjas.
Nga Ing Shkëlqim Bumçi   Partia Shtet për qëllimet e veta politike dhe ideologjike në vitin 1967, shpalli rifillimin e aksioneve të rinisë për... Ndërtimi i hekurudhës Rrogozhinë Fier dhe Elbasan Përrenjas.

Nga Ing Shkëlqim Bumçi

 

Partia Shtet për qëllimet e veta politike dhe ideologjike në vitin 1967, shpalli rifillimin e aksioneve të rinisë për vepra të mëdha në shkallë vendi.
Them rifillim sepse aksionet e para mbas çlirimit qenë rruga Kukës-Peshkopi, Hekurudha Durrës -Peqin, Peqin -Elbasan dhe Durrës -Tiranë ndërtuar gjatë viteve 1946-1949.

Për punën dhe kontributin e Rinisë është shkruar shumë në shtypin e kohës, janë shkruar shumë libra, janë thurur këngë, janë bërë dokumentarë etj. Por ne mund të themi sot mbas 45 vjetësh, se këto aksione shërbyen për emancipimin e Rinisë sidomos në zonat rurale dhe zonat e thella malore, pa mohuar kontributin që dhanë të rinjtë e të rejat në ndërtimin e këtyre veprave.

 

me-nje-brigade-vullnetaresh-nga-tirana-ne-mes-tyre-drejtori-pirro-stefa-dhe-ing-shkelqim-bumci

Me nje brigade vullnetaresh nga Tirana. Ne mes tyre drejtori Pirro Stefa dhe Ing Shkelqim Bumci

 

Por sot në vitin e 45-të të përfundimit të punimeve në hekurudhën Rrogozhinë-Fier dua të flas për teknikët, inxhinierët që me gjithë se të rinj, bënë një punë të madhe vetëmohuese për përfundimin me sukses të këtyre veprave.
Në fund të vitit 1966 mbas 4 vjet punë si k/inxhinier i NNI Laç, mbasi kishin përfunduar së ndërtuari dhe kishin filluar të nxirrnin prodhimet e para Uzina e Bakrit në Rubik, Uzina e Superfosfatit në Laç, Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë, dhe po bëheshin përgatitjet për inaugurimet zyrtare të tyre, po prisja me padurim për tu kthyer në Tiranë në ndërmarrjen ku kisha filluar punë si teknik në 1950, NN 21 Dhjetori, prej nga kisha shkuar në Laç.
Por pikërisht në prag të vitit të ri 1967, më komunikuan se isha emëruar si K/Inxhinier në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë -Fier.
Ndërmarrja Rruga -Ura ishte ngarkuar të ngrinte barakat e vullnetarëve në sektorët e parë Lushnjë-Gradishtë dhe Dushk si dhe zyrat e Ndërmarrjes. Njerëzit e parë që takova qenë Pirro, Andrea, Marku, Abaxhogly, Çesku, Kristo, Kristaqi, Seferi, Isufi etj.

 

 

safer-zemblaku-kristo-haxhi-shkelqim-bumci-prof-andrea-papastefani-shoferi-jani-isuf-mehmeti-sokrat-pango-etj

Safer Zemblaku, Kristo Haxhi, Shkelqim Bumci, Prof. Andrea Papastefani, shoferi Jani, Isuf Mehmeti, Sokrat Pango etj.
Në ngritjen e kantierit të ndërtimit të hekurudhës dha një ndihmë të madhe Inxh. Sokrat Hobdari, ish drejtori i ndërmarrjes Rruga Ura si dhe Neço Konomi si i dërguar i Ministrit për ngritjen e kantiereve të parë.
Në krye të ndërmarrjes ishte Drejtori Pirro Stefa, një punëtor i palodhur dhe njëri babaxhan. Sa herë udhëtonim me shërbime ai së bashku me shoferin e vet Vangjelin, këndonin vetëm këngë kolonjare. Prof. Andrea Papastefani, ishte Kryetar i Degës Teknike, ai ishte një shkencëtar i vërtetë i beton armesë dhe shumë modest, i gatshëm për të ndihmuar për çdo problem. Në degën teknike punonte edhe Ing. Telat Dobi. Ing. Mark Jakova ishte Kryetar i Degës Planit që vendosi rregullat e para në vlerësimin e punës vullnetare dhe normimin e punëtorëve me paga. Ekonomisti Jani Abaxhogly ishte Kryetar i degës së Financës që vendosi rregullat në administrimin e vlerave materiale dhe monetare në të gjithë sektorët. Ndër kuadrot kryesorë kishim edhe një vendas (lushnjar) i urti Pilo Robo si Nëndrejtor që mbulonte furnizimin dhe trajtimin e punëtorisë.
Shumica e personelit Inxhiniero-Teknik ishin të gjithë të rinj pa përvojë, në mënyrë të veçantë për ndërtimin e hekurudhave, ishim të gjithë si nxënës të “klasës së parë”. Në punën tonë si fillestarë për ndërtimin e Hekurudhës një ndihmë të madhe ka dhënë grupi i projektimit i kryesuar nga Ing. Mitat Demiri, Ing Shaban Torozi, të cilët i falënderoj nga zemra dhe i kujtoj me mirënjohje dhe respekt.

 

 

nga-mbledhja-e-shtabit-qendror-te-rinise-ne-hekurudhen-rrogozhine-fierNga Mbledhja e Shtabit Qendror Te rinise ne Hekurudhen Rrogozhine Fier

 

Ndërmarrja ishte organizuar në sektorë sipas kohës, së hapjes: Lushnje, Gradisht, Zhamë, Rrogozhinë, Libofshë, Mbrostar, Fier dhe vetëm një kantier transporti makinerish.
Drejtor Kantieri ishte Thanas Braho, një punëtor i palodhur me një shpirt sakrifice që të impononte respekt. Kryeinxhinier kantieri ishte Ing. Mërgim Korça, një djalë i talentuar, një inxhinier shumëdimensional me një dëshirë dhe vullnet për të zgjidhur çdo problem, me gjithë fukarallëkun e madh që kishim në transport-makineri (gjatë dy viteve të ndërtimit të hekurudhës 1967-1968 nuk kishim asnjë makineri dhe asnjë automjet të ri, të gjitha ishin të përdorura, tepër të konsumuara deri tek një batipal me djegie të brendshme që trashëgohej nga koha e Italisë).
Drejtimin e sektorëve e kishin të gjithë Inxhinierët dhe teknikët e rinj, duke filluar nga Lushnja -Ing. Çesk Radovani, Dushku Ing Harilla Nika dhe Kristaq Nase, ky i fundit kaloi nga Dushku në sektorin e Fierit, Zhamë Ing Hyqmet Pengu dhe Rrapi Xhavo, Ura Rrogozhinës Ing Arif Jaubelli, Gradisht Kristo Haxhia, të cilit më vonë ju ngarkua edhe mbushja e madhe e Rrogozhinës. Libofshë Ing Thoma Rali, Xhaferr Vila dhe Mbrostar Ing Kosta Buka. Me zhavorrimet u mor më shumë Areteo Mërtiri.
Duke fjetur në kantier pranë veprave bashkë me vullnetarët dhe specialistët e punëtorët tanë ishim të gjithë të lidhur ngushtë me punën, gjatë 24 orëve ishim të gatshëm për çdo problem që dilte. Puna dhe jeta në hekurudhë na rriti të gjithëve, na bëri më të aftë, më të pjekur, më të përkushtuar dhe më entuziastë për të arritur objektivin që kishim për përfundimin e ndërtimit të hekurudhës në 20 muaj.

 

 

llambi-shella-ish-komandanti-i-shtabit-qendrot

Llambi Shella ish komandanti i shtabit Qendror

Përfundimi me sukses i Hekurudhës në 20 muaj dhe inaugurimi i saj më 12 Tetor 1968, qe një sukses i punës tonë të përbashkët dhe i kontributit të madh të rinisë vullnetare.
Sot mbas 45 vjetësh kam, kënaqësinë të shpreh mirënjohjen time për të gjithë kolegët e personelit inxhiniero-teknik që organizuan dhe drejtuan punimet në këtë vepër.
Një falenderim i veçantë për drejtorin Pirro Stefa. Prof. Ing. Andrea Papastefani, Ing Mark Jakova dhe topografët Safet Zemblaku dhe Isuf Mehmeti. Në punën tonë ne kishim mbështjetjen e madhe të Shtabit Qendror të Rinisë me të cilët kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Përfitoj nga rasti të falënderoj komandanten Dhora Jançe si dhe ish Drejtuesin e Rinisë së vendit shokun dhe mikun tim të vjetër Ing. Agim Meron.
Me këtë rast kujtoj me respekt ish komandantin e shtabit qëndror Llambi Shella të cilin e kisha shok dhome në vitin e parë të aksionit.
Një ndihmë të madhe në punën tonë dha dhe ndërrmarja e furnizimit të puntorëve dhe vullnetarëve e cila organizonte dhe drejtonte gjithë mensat e hekurudhës. Një falenderim për të gjithë ata që u morën me ushqimin dhe strehimin e vullnetarëve dhe punëtorëve dhe drejtorit Nasi Koli.
Personeli inxhiniero teknik i hekurudhës kishte ardhur nga të 4 anët e vendit, Rruga Ura, 21 Dhjetori, Azotiku, Laçi, Shkolla etj. Pavarësisht se nuk njiheshin, për 20 muaj u bënë një kolektiv kompakt me respekt për punën që bënte secili dhe me mirënjohje për njëri tjetrin, prandaj dhe sot mbas 45 vjetësh kemi nostalgji për atë kolektiv, dhe për atë punë e ato arritje.

 

 

Ndërtimin e Hekurudhës Elbasan -Prenjas

grupi-qe-mori-pajisjet-e-shpimit-nga-suedia-i-kryesuar-nga-ing-shkelqim-bumci

Grupi qe mori pajisjet e shpimit nga Suedia i kryesuar nga Ing Shkelqim Bumci

Sapo mbaroi inaugurimi i Hekurudhës Rrogozhinë -Fier, filluam menjëherë të punonim për ndërtimin e hekurudhës Elbasan -Përrenjas në 3 drejtime:

U përzgjodh ekipi që do të fillonte nga puna për ngritjen e kantierit Elbasan -Prrenjas, kryesisht për zyrat e ndërmarrjes dhe ofiçinës si dhe 2 sektorët për vullnetarët në Labinot-Fushë dhe Xibrakë.
Në muajin Nëntor një grup i madh prej 15 vetash, projektues hekurudhash të kryesuar nga Ing. Sali Angoni, disa ditë me radhë shkelën me këmbë gjurmën nga kalonte hekurudha Elbasan -Prrenjas në këtë grup bëja pjesë edhe unë që përfaqësoja zbatimin. Gjatë shkeljes së aksit u bënë shumë vërejtje me vend nga pjesëmarrësit që u morën parasysh nga projektuesit. Dhe mbas kësaj u shkel përsëri në Mars 1969, në prag të fillimit të punimeve.
Organizuam edhe një grup që do të mbetej në Rrogozhinë-Fier për të plotësuar detyrat e dala nga akti i marrjes në dorëzim.

me-nje-grup-vullnetaresh-ne-sektorin-e-xibrakes paisja-e-cpimit-nga-suedia-1970-elbasan-prrenjas

 

Kalimi nga ndërtimi i Hekurudhës Rrogozhinë -Fier në ndërtimin e hekurudhës Elbasan -Prrenjas ishte një hap shumë i madh. Nga një hekurudhë e thjeshtë fushore dhe kodrinore, po kalonim në një hekurudhë malore në grykën e Shkumbinit, me shumë tunele, ura dhe shumë vepra arti, mure mbajtës etj. Për ndërtimin e Hekurudhës Elbasan-Përrenjas u kryen përafërsisht :
Gërmime dhe mbushje 3.224.700 m3 nga të cilat afërsisht 2.000.000 m3 shkëmb.
Ngritje Kantieri 50.000 m2
Tombino 124 copë
Ura të vogla dhe të mesme 88 copë
Ura të mëdha 15 copë ndër të cilat Ura e Bushtricës 280 ml e gjatë dhe 50 m e lartë.
Tunele 15 copë me gjatësi 4809 ml
nga të cilët Murrashi 1 mbi 990 ml i gjatë që u punua në 4 drejtime
U shtruan 47.5 km shina
Linja dytësore dhe degëzime 8 km
Ndërruese 52 copë.
Mbushje për balast me zhavorr dhe çakëll 100.000. m3
Godina stacionesh, magazina 5654 m2
Asfaltime 53.000 m2
Sistemime përrenjsh, drenazhe, mure mbajtëse dhe prita rreth 120.000 m3 mure guri, gabione beton dhe mbushje me gurë.
Spostime linjash tensioni, telefoni etj.
Hekurudha Elbasan -Përrenjas ishte dhe mbetet një nga veprat e vështira inxhinierike të realizuar nga projektuesit dhe ndërtuesit tanë, me një fukarallëk të skajshëm në mjete, makineri dhe teknologji. Përjashtim bëri vetëm pajisja e shpimit që u ble në Suedi në 1969, në Atlas Copco, pajisje kjo, që ishte fjala e fundit për kohën por që me të njëjtën teknikë u shpuan sot Tunelet e Thirrës dhe Qafë Kërrabës. Ndërsa përsa i përket betonimit, shumica e betonit prodhohej dhe sillej në vepër me krahë.
Në të gjithë hekurudhën me gjithë se u hodhën me mijëra m3 beton dhe beton arme s’kishim asnjë fabrikë betoni, asnjë autobetoniere etj. Në të gjithë gjatësinë e hekurudhës kishim 3 nyje betoni: Në Krastë (kantier prodhimi), në Murrash (sektori i tuneleve) dhe në Bushtricë (Ura e Bushtricës). Makineria më e madhe për prodhimin e betonit ishin betonierët 500 litroshe . Pastaj në të gjithë gjatësinë e hekurudhës, betoni përgatitej me krahë, ishin fatlumë atje ku kishte energji që kishin nga një betoniere “dardhë.”
Ndërtimi i hekurudhës Elbasan – Përrenjas kërkonte një organizim të ri, sikurse shtimin e personelit inxhiniero -teknik, për këtë arsye u ngritën 5 kantiere

 

 

paisjet-e-shpimit-te-tyneleve-te-sapo-ardhura-nga-suedia Paisjet e shpimit te tyneleve te sapo ardhura nga Suedia

 

– Kantieri i prodhimit, prodhonte inerte betoni, parafabrikate dhe prodhonte dhe montonte në vepër të gjithë sasinë e hekurit që nevojiteshin për urat dhe tunelet, si dhe të gjithë elementët e parafabrikuara të urave.
– Kantieri i transport makinerive me 3 sektorë, ofiçina mekanike, makineritë dhe transporti.
Përveç kësaj dhe tre kantiere filluan të ndërtoheshin.
-Kantieri i Labinotit
-Kantieri i Librazhdit
-Kantieri i Bushtricës.
Për të plotësuar nevojat me teknikë të mesëm, hapëm shkollën e hekurudhës për teknikë, e cila më vonë kaloi në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe për gati 40 vjet nxori me qindra kuadro.
Cilat ishin disa nga vështirësitë e mëdha të ndërtimit të hekurudhës.

Numri i madh i veprave të artit, mure mbajtës ura tunele gjatë gjithë gjatësisë.
Linja hekurudhore kalonte në luginën e Shkumbinit në një grykë të ngushtë ku veç lumit ishte rruga nacionale, linja e tensionit të lartë dhe linja kombëtare e PTT.
Sigurimi dhe plotësimi i kuadrit drejtues, personelit inxhiniero teknik dhe specialistëve dhe mjeshtrave të nevojshëm. Për këtë u hap shkolla për teknik të mesëm dhe u organizuan me dhjetra kurse pa shkëputje nga puna për minatorë, muratorë, karpentierë, manovratorë etj.
Një kurs i veçantë u organizua për përgatitjen e mjeshtrave për përdorimin e paisjeve të shpimit të tuneleve të firmës Atlas Copco. Të gjitha këto u kryen paralel me ngritjen e ndërmarrjes, kantiereve dhe paralel me fillimin e punimeve.
Hekurudha Elbasan – Prrenjas qe një shkollë e madhe që përgatiti kuadro për ndërtimin e gjithë hekurudhave që nga viti 1973 deri në vitin 1990 kur u ndërpre ndërtimi i hekurudhave. Nga hekurudha Elbasan – Prrenjas dolën me dhjetra kuadro e specialistë që dhanë kontributin e tyre në shumë sektorë të ekonomisë së vendit.
Mungesa e plotë e ndërlidhjes në të gjithë gjatësinë bënte të domosdoshme që stafi i drejtorisë, një herë në 24 orë të kontrollonte të gjitha frontet kryesore të punës. në mënyrë të veçantë tunelet ku punohej me tre turne dhe gjeologjia ishte me shumë të papritura.
Mungesa e ndërlidhjes bënte të domosdoshme mbledhjet e përnatshme në çdo kantier si dhe ato periodike një herë në javë në ndërmarrje.
Puna me eksploziv në të gjithë gjatësinë e hekurudhës, masat për ruajtjen dhe miradministrimin e lëndës eksplozive si dhe masat për sigurimin teknik, duke bllokuar rrugën nacionale me sinjalistikën e nevojshme.
Për shkak të formacioneve të dobëta shpimi dhe betonimi i tunelit ishte një punë shumë e vështirë me shumë të papritura . Në shpimin dhe betonimin e tuneleve kemi me qindra episode që tregojnë trimërinë dhe vetëmohimin e punëtorëve tanë në ballë të tunelit si dhe dhjetëra episode fatlume kur kemi shpëtuar për një fije nga fatkeqësia.

 

ure-murrashi-1-hyrja-e-tunelit

Afati i përfundimit të fazës së parë të Hekurudhës Elbasan -Librazhd ishte Nëntor 1971, megjithëse kishte 4 tunele të mëdha dhe dy ura. Falë mobilizimit të gjithanshme të specialistëve, punëtorëve dhe personelit inxhiniero-teknik pa mohuar kontributin e shquar të të rinjve vullnetarë, në Nëndor 1971 u arrit përfundimi në afat. Në ndërtimin e dy urave në Murrash kontribuoi ndërmarrja Rruga-Ura me në krye inxhinier Anton Llambushi.
Mirënjohje dhe respekt të gjithë kolegëve që organizuan dhe drejtuan punimet për ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Prrenjas: Ing Bardhyl Çekun, Ing Sokol Komani, Ing Demir Hoxha, Ing Çesk Radovanin, Ing Hasip Çerma, Ing Viktor Buzmerxhani, Ing Kristaq Nase, Ing Harilla Nika, Ing Kosta Buka, Ing Arif Jaubelli, Ing. Kristo Haxhia, Ing Hiqmet Pengu, Ing Pajtim Çobani. Teknikët Harilla Duni, Xhaf Vila, Rrapi Xhafo, Hysen Koçi, Thanas Braho, Sabaudin Skilja, Luiza Lala, Misir Toshkollari, Areteo Mërtiri, Odise Mitrushi, Jashar Toshkollari etj, si dhe topografët Isuf Mehmeti dhe Safer Zemblaku, e shumë e shumë të tjerë. Respekt të veçantë për punën e mjeshtrave të talentuar Shefki Shevroja, Ali Sheme, Sadik Elezi, Njazi Shimitraku etj. Këto rezultate nuk do të ishin arritur pa punën e madhe të projektuesve dhe bashkëpunimit të ngushtë me ta, prandaj një mirënjohje dhe respekt të veçantë për projektuesit Ing Mithat Demiri, Ing Shaban Torozi, Ing Petraq Çerepi, Ing Egon Gjadri, Ing Mosko, Ing Veiz Çorranji, Ing Ylli Dervishi etj.
Mirënjohje dhe respekt për të rejat dhe të rinjtë vullnetarë për shtabin qendror dhe komandanten Lumturi Rexha. Një punë të shkëlqyeshme bëri ndërmarrja e furnizimit të punëtorëve që ushqeu me mijërave vetë gjatë gjithë gjatësisë së hekurudhës, me në krye të paharruarin Stathi Sallabanda.
Duke ju kërkuar ndjesë që s’kam mundësi t’i përmend të tërë por shpreh me gjithë shpirt mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që me punën e tyre bënë të mundur projektimin dhe ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë – Fier dhe Elbasan-Prrenjas.

No comments so far.

Be first to leave comment below.

Your email address will not be published. Required fields are marked *